// Trajnimet e zhvilluara gjatë muajve Maj-Qershor 2017
Projekti i OSFA “Fuqizimi i kapaciteteve të shoqërisë civile dhe administratës lokale për përvetësimin e fondeve të BE-së”, ka zhvilluar gjatë muajve Maj-Qershor programin e tij të trajnimeve me Njësitë e Pushtetit Vendor në disa prej qarqeve të vendit. Këto trajnime janë zhvilluar, nga Shkolla shqiptare e Administratës Publike (ASPA), Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, “SOROS,” dhe Ministria e Integrimit Evropian për të orientuar Njësitë mbi përthithjen e asistencës financiare që ofrohet pikërisht nëpërmjet këtyre fondeve.
Trajnimi i parë u zhvillua në datën 29 Maj 2017 për Qarkun e Dibrës në mjediset e Bashkisë Dibër. Në të morën pjesë 24 punonjës nga Bashkitë Dibër, Peshkopi, Klos, Burrel të cilët vinin nga drejtoritë e politikave të zhvillimit ekonomik, nga njësitë e integrimit, nga drejtori të financës-buxhetit, etj. Trajnimi ngjalli interes të gjerë tek pjesëmarrësit dhe rezultoi mjaft interaktiv.
Në datën 30 Maj 2017 u zhvillua trajnimi i dytë për Qarkun e Kukësit në mjediset e Bashkisë Kukës. Trajnimi u konsiderua, si një ditë informuese për stafet e NJQV-ve ku solli njohuri për: institucionet financiare të BE-së, instrumentet e financimit, programet e bashkëpunimit territorial, cikli i menaxhimit të një projekti, si hartohet një projekt propozim. Në këtë trajnim, morën pjesë 21 pjesëmarrës të cilët përfaqësonin Bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë.
Në datën 1 Qershor 2017, trajnimi vijoi në mjediset e Bashkisë Fier, i zhvilluar për Qarkun e Fierit. Në këtë trajnim, morën pjesë 16 pjesëmarrës, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Fier, si dhe Bashkive Fier, Mallakastër, Roskovec, Patos. Trajnimi kishte për qëllim t’u ofrojë pjesëmarrësve njohuri dhe informacione konkrete mbi si këto institucione mund të përfitojnë nga asistenca financiare e BE-së për të realizuar projekte që nxisin zhvillimin jo vetëm në Bashkitë e tyre por edhe në të gjithë qarkun.
Trajnimi i fundit për këtë sesion u zhvillua në datën 2 Qershor 2017 për Qarkun e Përmetit, në mjediset e Bashkisë Përmet. Trajnimi një ditor u konsiderua si një ditë informuese për pjesëmarrësit të cilët u prezantuan me institucionet financiare të BE-së, programet e Bashkëpunimit Evropian si dhe mënyrën e hartimit të një projekt propozimi. Në këtë trajnim morën pjesë 8 pjesëmarrës, përfaqësues të bashkive Gjirokastër dhe Përmet. Trajnimi i ndihmoi pjesëmarrësit në rritjen e aftësive të tyre për të hartuar një projekt, mënyrën e gjetjes së një partneri, mënyrën e menaxhimit të projektit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së tij.
Trajnimet e zhvilluara në këtë sesion ishin pjesë e raundit të tretë të trajnimeve të organizuara në kuadër të projektit për “Fuqizimin e kapaciteteve të shoqërisë civile dhe administratës lokale për përvetësimin e fondeve të BE-së”. Raundi i katërt i trajnimeve do të vijojë edhe përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2017.