// Rreth Projektit
Portali online EUforALBANIA përbën një nga elementet më thelbësore në kuadër të Projektit të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) “Rritja e pronësisë lokale për integrimin europian përmes riorientimit të debatit dhe fuqizimit të kapaciteteve të shoqërisë civile për përvetësimin e fondeve të BE” i cili synon të asistojë Shoqërinë Civile Shqiptare përgjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Projekti në tërësi synon të ofrojë një qasje të integruar për rritjen e kapaciteteve dhe pronësisë lokale të shoqërisë civile, pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë për përvetësimin dhe menaxhimin më të mirë të asistencës finaciare të BE-së, ofruar përmes instrumentave të ndryshëm. Gjatë vitit 2015 kjo u arrit përmes vlerësimit të prioriteteve e nevojave në nivelin e shoqërisë dhe të grupeve specifike të përftuesve përmes kërkimeve, nxitjes së debatit, ofrimit të trajnimeve, përgatitjes së lajmeve periodike dhe informacioneve praktike javore për përfituesit dhe krijimin e një platforme interneti interakative që përqëndrohet dhe ofron informacion të detajuar dhe të integruar mbi të gjitha programet e financimit të BE-së nga të cilat përfiton Shqipëria.
Krijimi i kësaj platforme shihet si dicka mëse e domosdoshme duke pasur parasysh se aktualisht nuk ekziston asnjë faqe interneti institucionale e disponueshme që mund të ofrojë edhe informacion minimal edhe të integruar për sa i përket programeve të ndryshme të financuara nga BE. Portali synon të informojë në kohë reale grupet e interesuara të shoqërisë civile mbi thirrjet e fundit të programeve si dhe të shërbejë si një mjet komunikimi midis organizatave mbi cështje të ndryshme qe lidhen me aplikimet për fonde. Ky portal synon të ketë një audiencë dhe shtrirje në nivel kombëtar dhe më gjerë.