// Programet e Unionit
2007 - 2013
Që prej nisjes së zbatimit të IPA I, Shqipëria ka siguruar mundësinë për të përfituar gjithashtu bashkë-financime nga disa prej programeve të tjera Bashkimit Evropian. Në ciklin 2007-2013, Shqipëria ka marrë pjesë në mënyrë aktive në 7 nga Programe të BE-së, të njohura si “Programet e Komunitetit”:
1. Programi i 7-të Kuadër për Kërkim dhe Zhvillim Teknologjik (FP7)
Ky program ka qenë instrumenti kryesor i BE-së për financimin e kërkimit shkencor në Evropë dhe u zbatua gjatë harkut kohor 2007-2013. FP7 u projektua në funksion të përgjigjes ndaj nevojave të BE-së në fushën e punësimit, konkurrencës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës.
Për më tepër informacion klikoni këtu
2. Programi për ‘Sipërmarrje dhe Inovacion’ (CIP-EIP)
CIP-EIP vjen në kuadër të ‘Programit të Konkurueshmërisë dhe Inovacionit’ dhe synon përmirësimin e konkurueshmërisë së kompanive evropiane, të cilat ballafaqohen në mënyrë të vazhdueshme me sfidat e globalizimit. Programi ka shënjestruar kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë marrë mbështetje për aktivitete në fushën e inovacionit, si dhe akses më të mirë ndaj shërbimeve financiare dhe atyre që mbështetje të biznesit. Programi synon gjithashtu inkurajimin e përdorimit të informacionit dhe teknologjive të komunikimit, të energjisë së rinovueshme dhe promovon efikasitetin energjitik.
Për më tepër informacion klikoni këtu
3. Programi ‘Evropa për Qytetarët’
Ky program u zbatua fillimisht gjatë ciklit 2007-2013 dhe do të vazhdoj edhe për periudhën 2014-2020. Ai synon të promovojë tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis qytetarëve, duke kontribuar kështu në forcimin e dialogut ndërkulturor. ‘Evropa për Qytetarët’ ka mbështetur një gamë të gjerë aktivitetesh që promovojnë vlerat e qytetarisë aktive, veçanërisht të përfshirjes së qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian.
Për më tepër informacion klikoni këtu
4. Programi ‘Kultura’
Programi ‘Kultura’ filloi zbatimin në 2007 dhe përgjatë ciklit 2014-2020 është pjesë përbërëse e Programit ‘Evropa Krijuese’. Ky program synon të inkurajojë dhe mbështesë bashkëpunimin kulturor mes vendeve të Europës, duke promovuar dhe ruajtur trashëgiminë e përbashkët kulturore evropiane. Programi mundëson financime për të gjitha fushat kulturore dhe kategoritë e operatorëve kulturorë, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor në nivel evropian.
Për më tepër informacion klikoni këtu
5. Programi ‘Doganat 2013’
Programi ‘Doganat 2013’ synon ofrimin e asistencës teknike për administratat doganore të vendet anëtare, por edhe të atyre aderuese në BE, me qëllim lehtësimin e tregtisë së ligjshme, si dhe përshpejtimin e procedurave doganore, në kuadër të forcimit të një mjedisi pan-evropian të doganave elektronike. Ky system elektronik siguron përputhshmërinë e aktiviteteve doganore me nevojat e tregut të brendshëm, duke garantuar mbrojtjen e interesave financiare të Këshillit Evropian dhe rritjen e sigurisë. Aktivitetet e programit do vazhdojnë edhe përgjatë ciklit 2014-2020.
Për më tepër informacion klikoni këtu
6. Programi 'Të mësuarit gjatë gjithë jetës'
Programi ’Të mësuarit gjatë gjithë jetës’ është projektuar për t’i mundësuar qytetarëve të të gjitha moshave pjesëmarrjen në përvoja stimuluese të të mësuarit, si dhe për të zhvilluar arsimin dhe trajnimin në të gjithë Evropën. Me një buxhet prej gati 7 miliard €, programi ka financuar gjatë viteve 2007-2013 një gamë të gjerë shkëmbimesh, aktivitetesh bashkëpunimi dhe vizitash studimore. Gjatë periudhës 2014-2020, aktivitetet e këtij programi do të zbatohen në kuadër të programit të ri ‘Erasmus +’.
Për më tepër informacion klikoni këtu
7. Programi ‘Rinia në Veprim’
Ky program ka në fokus të rinjtë dhe synon nxitjen e ndjenjës së qytetarisë aktive, solidaritetin, tolerancën dhe përfshirjen e evropianëve të rinj në proceset politikëbërëse të BE-së. ’Rinia në Veprim’ ka promovuar mobilitetin, të mësuarit dhe dialogun ndërkulturor jo-formal, brenda dhe përtej kufijve të BE-së, si dhe ka inkurajuar përfshirjen e të gjithë të rinjve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, sociale dhe kulturore.
Për më tepër informacion klikoni këtu
2014 – 2020
Në kuadër të mekanizmit IPA II, gjatë viteve 2014-2020 Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja gjithsej rreth 640 milion € asistencë. Në gusht të vitit 2014 u miratua nga Komisioni Evropian Strategjia Kombëtare 2014-2020 për Shqipërinë, e hartuar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe e konsultuar me palët e interesuara. IPA II do të trajtojë çështje themelore në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë, qeverisjes ekonomike dhe financat publike, për të mbështetur reformat e suksesshme dhe investimet e nevojshme për procesin e integrimit. Ministria e Integrimit Evropian është koordinatori kombëtar i programeve të asistencës komunitare në Shqipëri. Në këtë fazë programet nuk quhen më Programe komunitare (Community Programmes) por janë emëruar si Programet e Unionit (Union Programmes).
Programet për 2014-2020 ku Shqipëria merr pjesë janë:
‘Horizon 2020’ është program i ri, i cili ofron një gamë të gjerë mundësish si për studiuesit e BE-së dhe ata shqiptarë, me synim nxitjen e bashkëpunimit midis aktorëve më të mirë ndërkombëtarë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në ‘Horizon 2020’ do të ndihmojë vendin në forcimin e infrastrukturës shkencore, cilësinë e hulumtimit dhe nxitjen e inovacionin, duke kontribuar kështu në integrimin e mëtejshëm të vendit në Hapësirën Evropiane të Kërkimit.
Buxheti total: Rreth 80 Miliard €
Për më tepër informacion klikoni këtu
Programi ‘COSME’ synon nxitjen e konkurrencës midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ai mbështet sipërmarrësit nëpërmjet edukimit mbi sipërmarrjen, mentorim, si dhe duke ofruar udhëzime dhe shërbime të tjera mbështetëse. Ndërhyrjet mbështesin grupe të veçanta, të cilat mund të kenë vështirësi në arritjen e potencialit të tyre të plotë, si p.sh. të rinjtë, gratë dhe sipërmarrësit e moshuar. Programi gjithashtu synon të ndihmojë bizneset në kuadër të mundësive të ofruara nga teknologjia digjitale.
Buxheti total: Rreth 2.3 Miliard €
Për më tepër informacion klikoni këtu
‘Erasmus +’ është programi më i ri arsimor i Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim rritjen e aftësive dhe punësimit, si dhe modernizimin e arsimit, trajnimit dhe punës së të rinjve. ‘Erasmus +’ përmbledh, nën një ombrellë të vetme, shtatë programet arsimore ekzistuese të BE-së, duke lehtësuar kështu orientimin e përfituesve dhe të rregullave të pjesëmarrjes. Si një programi i integruar, ‘Erasmus +’ ofron më shumë mundësi për bashkëpunim mes sektorëve të arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit. Ky program ka një qasje më të lehtë sesa paraardhësit e tij dhe aplikon rregulla më të thjeshtuara të financimit.
Shqipëria merr pjesë plotësisht në Veprimin Kyç nr. 2 të ‘Erasmus +’ mbi ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë, nëpërmjet projekteve për ngritjen e kapaciteteve, si dhe do të përfitojë gjithashtu nga ‘Komponenti Specifik i Qarkullimit’ (SMS). Në rastin specifik të Shqipërisë, projektet e përbashkëta dhe strukturore mund të përfshijnë një (SMS) për stafin e institucioneve të arsimit të lartë dhe studentët. Për më tepër, Shqipëria do të marrë pjesë në mënyrë të plotë në Programin ‘Jean Monnet’ të ‘Erasmus +’.
Buxheti total: Rreth 15 Miliard €
Për më tepër informacion klikoni këtu
Programi ‘Evropa Krijuese’ ka për qëllim mbështetjen e sektorit kulturor, audio-viziv, dhe krijues në nivel evropian. Ky program ndahet në 2 nën-programe: Nën-programi “Kultura” dhe Nën-programi “Media”.
Nën-programi ‘Kultura’ ndihmon organizatat kulturore dhe kreative të bashkëveprojnë, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron globalizimi. Gjithashtu, ai nxit qarkullimin ndërkufitar të veprave të kulturës.
Nën-programi ‘Media’ mbështet sektorin audio-vizual dhe multimedial, duke ofruar mundësi financiare për iniciativa që synojnë të promovojnë: shpërndarje të veprave në tregje të ndryshme; mbështetje në prodhimin e programeve televizive ose lojërave (video games); promovim të veprave audio-vizuale dhe aktivitete që nxisin interesin drejt këtyre veprave; ngritje të kapaciteteve të profesionistëve të sektorit audio-vizual, etj.
Programi ‘Evropa Krijuese’ mbështet objektivat kulturore të Shqipërisë në rritjen e shprehjes artistike dhe kreativitetit; në promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor; në rritjen e cilësisë së veprave të artit; në promovimin e shkrimtarëve dhe autorëve shqiptarë në Evropë dhe anasjelltas; dhe gjithashtu në përpunimin e një agjende kulturore të gjerë dhe ndër-rajonale të Shqipërisë.
Buxheti total: Rreth 1.5 Miliard €
Për më tepër informacion klikoni këtu
Europe for Citizens – Evropa për Qytetarët - synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe organizatave nga vende të ndryshme, të lehtësojë zhvillimin e ndjenjës së përkatësisë në idealet e përbashkëta evropiane si dhe të nxisë procesin e integrimit evropian. Programi ka për qëllim të adresojë nevojën për të pasur debate më të mirëfillta në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar mbi çështjet e BE-së duke u dhënë mundësi qytetarëve për të bashkëvepruar dhe për të marrë pjesë në ndërtimin e një Evrope të afërt për të gjithë. Gjithashtu ky program promovon rritjen e tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve evropianë duke kontribuar në dialogun ndërkulturor. Shqipëria ka marrë pjesë në programin "Evropa për qytetarët", që nga data 20 prill 2009, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit. Gjatë kësaj periudhe ajo ka marrë mbështetje në një gamë të gjerë të aktiviteteve të promovimit të "qytetarisë aktive evropiane", veçanërisht përfshirjen e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian.
Buxheti total: Rreth 185 mln €
Për më tepër informacion klikoni këtu
Customs 2020 – Programi ‘Doganat 2020’, do të mbështesë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE me qëllim për të ndihmuar në maksimizimin e efikasitetit të tyre dhe për të shmangur mospërputhjet në punën e tyre, të cilat mund të pengojnë mirëfunksionimin e Bashkimit Doganor. Kjo do të lehtësojë rrjetëzimin, veprimet dhe trajnimet e përbashkëta në mesin e personelit doganor, duke financuar në të njëjtën kohë edhe sistemet IT për të mundësuar zhvillimin e një sistemi doganor elektronik të mirfilltë Evropian. Në vitin 2012 Shqipëria u bë një vend i asociuar në Programin e Doganave të vitit 2013 (Customs 2013). Nga data 1 prill 2013 deri më 31 mars 2014 zyrtarët e doganave shqiptare kanë marrë pjesë në një sërë aktivitetesh (grupe pune, grupe drejtuese, seminare / workshope dhe vizita pune) duke forcuar bashkëpunimin me administratat doganore të vendeve të tjera pjesëmarrëse përmes shkëmbimit të përvojës dhe njohurive.
Buxheti total: Rreth 547 Mln €
Vëndet përfituese: Shqipëria, Bosnja & Herzegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Turqia
Për më tepër informacion klikoni këtu
Më 29 gusht 2012 Komisioni Evropian miratoi propozimin për programin ‘Fiscalis 2020’. Ky program synon të mundësojë që administratat tatimore në shtetet anëtare të jenë plotësisht kompetente për të përmbushur sfidat e ardhshme në fushën e shmangies së mashtrimit me taksat dhe mbledhjen e të ardhurave për buxhetet e shteteve anëtare të BE-së. Këto janë elementet kyç në përpjekjet për forcimin e tregut të brendshëm të BE-së, ku bashkëjetesa e 28 sistemeve kombëtare tatimore vë në pah çështjet e taksimit të dyfishtë dhe shtrembërimit të konkurrencës.
Buxheti total: Rreth 234 Mln €
Vëndet përfituese: Shqipëria, Bosnja & Herzegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Turqia
Për më tepër informacion klikoni këtu
Programi për ‘Punësimin dhe Inovacionin Social’
Programi për ‘Punësim dhe Inovacion Social’ mbështet nismat dhe strategjitë e qeverive për modernizimin e tregjeve të punës, sistemit të sigurimeve shoqërore dhe rritjen e normave të punësimit, në mënyrë të veçantë midis të rinjve. Këto objektiva do të arrihen nëpërmjet krijimit të vendeve të punës, promovimit të një fuqie punëtore më të aftë, inkurajimit të përshtatjes ndaj ndryshimeve, si dhe duke përmirësuar qarkullimin gjeografik dhe duke promovuar inovacionin shoqëror. Në përputhje me strategjinë ‘Evropa 2020’ dhe me ‘Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2014-2020’, programi do të kontribuojë në trajtimin e problemit të papunësisë së të rinjve. Pjesëmarrja e Shqipërisë në projektet e BE-së ka për qëllim zvogëlimin e papunësisë në mesin e të rinjve dhe nxitjen e krijimit të e vendeve të reja të punës, duke siguruar financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i programit është rritja e inovacionit social në mbarë vendin dhe përmirësimi i aftësive të fuqisë së re punëtore shqiptare.
Buxheti total: Rreth 920 Mln €
Për më tepër informacion klikoni këtu